Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Goditen dy raste të tjera të kësaj veprimtarie, procedohen penalisht 2 shtetas.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasit M. M., 19 vjeç, banues në Fier dhe S. P., 26 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalet e këtyre shtetasve, përkatësisht në lagjen “Bishanak” dhe në lagjen “Kastriot”, u gjetën dhe sekuestruan dy aparate celulare me të cilat dyshohet se ushtronin aktivitetin e paligjshëm të organizimit të lotarive të palejuara.
————
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 52 vjeç, banues në fshatin Gjorgos, pasi ka kanosur bashkëshorten e tij dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj, në prani të fëmijëve të mitur.
Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi E. T., banues në Patos, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër-mbrojtje, dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.