Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Memaliaj – Kanosi me mjet të mprehtë (thikë), një shtetas, vihet në pranga autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 63 vjeç, banues në Memaliaj, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, në Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka kanosur me mjet të mprehtë (thikë), shtetasin H. M., 66 vjeç, banues në Memaliaj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika. Materialet në ngarkim të shtetasit A. L. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pararoja”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni nga strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihen në pranga 3 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm. Procedohen penalisht edhe 3 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Devolli drejt Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. D., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe A. V., 22 vjeç dhe J. S., 20 vjeçe. Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tiranës, duke transportuar 3 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar. Shtetasi A. V. bënte transportin e emigrantëve, me një automjet “Mercedes Benz”, ndërsa shtetasi I. D. dhe shtetasja J. S. qarkullonin me një mjet tjetër përpara shtetasit A. V., për ta informuar atë nëse kishte shërbime policore. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 216 shtetas, konkretisht: 15 janë ndaluar, 61 janë arrestuar në flagrancë dhe 140 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 11 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 14 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 9 shtetas, për shkatërrim prone.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të paligjshem të kufijve”.
Janë arrestuar në flagrance 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe 2 të tjerë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Vetëgjyqësia” dhe 2 për “Prishja e qetësisë publike”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe 2 të tjerë, për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 14 aksidente, me 1 viktimë dhe 20 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.