Gjirokastër – Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit

Goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen dy aparate celulare dhe një sasi parash.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit R. C., 36 vjeç, banues në Gjirokastër (administrator i një subjekti bar-kafe) dhe D. H., 37 vjeç, banues në fshatin Plesat, Gjirokastër (klient i subjektit).
Këta shtetas u arrestuan pasi, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtrua kontroll në ambientet e një subjekti bar-kafe në pronësi të shtetasit R. C., në lagjen “18-Shtatori”, ku u konstatua se ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, duke fshehur të ardhurat.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare dhe një sasi parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.