Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonin me armë zjarri dhe armë të ftohta në automjet, vihen në pranga drejtuesi dhe pasagjeri.
Vihet në pranga dhe një shtetas tjetër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, shkop bejsbolli, doza më lëndë narkotike dhe 2 automjete.
Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet, në vendin e quajtur “Lalm i Ri”, kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin B. D. dhe pasagjer shtetasin F. N., është gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë dhe një shkop bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. D.,18 vjeç dhe F. N., 24 vjeç, banues në Zejmen Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
—
Gjithashtu, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike në doza, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasin A. G., shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit A. G., 26 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.