Zbardhet ngjarja e ndodhur në një institucion financiar në qytetin e Peshkopisë, ku një shtetas mori një shumë të konsiderueshme parash, nën kërcënimin e thikës.
Policia identifikon, lokalizon dhe vë në pranga në kohë rekord, autorin e dyshuar të ngjarjes.
Strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së ndodhur në datën 21.12.2021, në një institucion financiar në qytetin e Peshkopisë, bazuar dhe në informacione të grumbulluara në rrugë policore, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Bazuar në informacionet e mara në rrugë operative nga strukturat hetimore të DVP Dibër u bë lokalizimi i vendndodhjes së autorit të dyshuar.
Falë bashkëpunimit me DVP Durrës u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit J. B., 27 vjeç, banues në fshatin Sinë, Dibër.
Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, i maskuar dhe nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), ka marrë shumën 179.100 lekë të rinj në një institucion financiar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.