Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 09 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Elbasan – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “DRAGOT 2021”. Sekuestrohen 48 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 2 automjete, 3 aparate celulare dhe 1 thikë. Arrestohen në flagrancë 4 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike nga disa shtetas, specialistët  e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policise Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “DRAGOT 2021”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:  S. M., 25 vjeç, M. H., 22 vjeç, F. Y., 25 vjeç, banues në Vlorë dhe P. B., 22 vjeç, banues në fshatin Pilur, Himarë. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, gjatë operacionit, në rrugën që lidh Lushnjën me Belshin, në Dragot, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjeteve me të cilat dyshohej se transportohej lënda narkotike. Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe mjeteve tip ”Audi A6” dhe “Volksëagen” u gjet lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 48 kilogramë, 1 thikë dhe 3 aparate celulare.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 3 aparate celulare, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe 2 automjetet. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Durrës  – Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në ambientet e dhomës së një hoteli, ku mbeti i plagosur një shtetas. Tentoi të vriste me armë zjarri 20-vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes. Në kërkim edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi. Arrestohet në flagrancë 22-vjeçarja që fshehu armën e zjarrit dhe 1 shtetas tjetër që strehoi 22-vjeçaren, pas ngjarjes.  Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në ngjarje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.  Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A. B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit; E. H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje.  Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 2 raste me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Kukës janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe në Korcë janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.

Në Tiranë dhe në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, 1 për “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, 1 për “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për “Marrëdhëmi e seksuale ose homoseksuale në publik”.

Në Vlorë është arrestuar 1 shtetas, për “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në Gjirorokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prishja e qetësisë publike”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.