Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Policia e Lezhës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor “Parandalimi”. Ushtroi dhunë ndaj ish-dhëndrit, për motive të dobëta, dhe e kërcënoi së do ta vriste me armë zjarri, reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës. Sekuestrohen arsenal armësh (mitraloz, kallashnikovë) dhe municione luftarake. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt midis shtetasit K. N. dhe ish-dhëndrit të tij, shtetasit E. Ç., në fshatin Balldre, Lezhë. Sipas informacioneve, shtetasi K. N. kishte dhe armë zjarri në banesë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, kanë arritur të neutralizojnë dhe të vënë në pranga shtetasin K. N., duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. N., ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, një granatë dore me ndezës të montuar, 4 krehra dhe 3979 fishekë. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi K. N., 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”.
Lezhë – Aksidentoi me pasojë vdekjen 1 shtetas dhe u largua nga vendi i ngjarjes, identifikohet dhe vihet në pranga drejtuesi i mjetit. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit M. D., 26 vjeç, banues në Torovicë, Lezhë. Ky shtetas, ditën e djeshme, në rrugën rurale Torovicë, Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar një shtetas 71 vjeç, këmbësor, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Pas aksidentit, 26-vjeçari ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 34 janë arrestuar në flagrancë dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 rast me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Durrës, 1 në Kukës dhe 1 në Vlorë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për falsifikim dokumentesh dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për mbajtja pa leje e armëve të ftohta, në Korçë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, në Tiranë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër.
Në Kukës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 tjetër, për “Deklarata e rreme”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, me 2 viktima dhe 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.