Sekuestrohen 30 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për transportin e një sasie lënde narkotike nga 3 shtetas, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me “Shqiponjat” dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Bishani”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A.T.,34 vjeç., S.B.,29 vjeç., banues në Vlorë dhe shtetasit A.V., 34 vjeç.,banues në Bishan, Vlorë.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra gjatë operacionit policor, në fshatin Bishan, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit me të cilin dyshohej se transportohej lëndë narkotike.
Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe i mjetit tip ”Ford”, në të cilin ata udhëtonin, u gjetë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 30 kilogramë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.