Arrestohet në flagrancë 21 vjeçari, që shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.
Sekuestrohet 1 kg e 250 gramë cannabis sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Në rrugën “Nikolla Lena”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe më pas kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 1 deri në 2 kg, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e Rrugës së Kavajës dhe në rrugën “Nikolla Lena”, kundrejt vlerës 500 lekë të rinj një dozë cannabis sativa dhe 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi dhe gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira prej tij në rrugën “Nikolla Lena”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 250 gramë cannabis sativa, një sasi lënde narkotike kokainë , 1 aparat celular dhe 2 peshore elektronike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.