Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve mjedisore.
U kap duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, vihet në pranga 52-vjeçari.
Procedohet penalisht poseduesi i lëndës drusore.
Në vijim dhe zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë konstatuar dhe ndaluar në aksin e vjetër rrugor Lezhë-Shkodër, një mjet kamion që transportonte lëndë drusore.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi D. Rr. po transportonte 13 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. Rr., 52 vjeç, banues në Vau i Dejës, Shkodër.
Gjithashtu, u procedua penalisht poseduesi i lëndës drusore, shtetasi R. N., 22 vjeç, banues në fshatin Kqirë, Pukë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin e plotë dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.