Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit që i posedonte.
Procedohet në gjendje të lirë dhe pasagjeri në mjet, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. N., 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar shtetasit K. N., një armë zjarri pistoletë, me fishekë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, të shtetasit:
K. N., 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasagjeri në mjet, shtetasi F. G., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.