Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportonin tre emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga dy shtetas.
Sekuestrohen një automjet dhe dy aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Policinë Rrugore dhe Forcat Shqiponja në DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit “Muzgu”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë goditur një tjetër rast, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. I., 18 vjeç dhe N. C., 19 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi janë kapur në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, duke transportuar me një autotomjet tip “Audi”, tre emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe dy aparat celularë.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. I. dhe N. C. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.