Nano – Vengu – Gazheli: Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, domosdoshmëri për rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual në Durrës Pirro Vengu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli zhvilluan një inspektim të përbashkët në Portin e Durrësit, për të parë nga afër funksionimin e sallës operative të përbashkët, funksionimin e Task Forcës permanente, si dhe për të gjetur rrugët e mënyrat më efikase për të forcuar bashkëpunimin trepalësh në interes të parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.
Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu:
“Këtu gjendemi në ambientet e sallës operative të përbashkët, e cila është krijuar në mënyrë që t’i vijë në shërbim kolegëve të Policisë Kufitare, kolegëve të Policisë Kriminale dhe kolegëve të Doganave, në mënyrë që të gjitha sistemet e sigurisë në Portin e Durrësit të jenë të integruara dhe të shërbejnë për të prodhuar të dhënat në kohë reale, që u hyjnë në funksion organeve hetimore për rritjen e parametrave të sigurisë në Autoritetin Portual”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano:
“Me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave dhe të Autoritetit Portual Durrës, bashkë me kolegë të sektorëve të ndryshëm të Policisë së Shtetit, kemi inspektuar disa nga proceset e punës në terren, po kështu dhe procese të punës në sallën e Autoritetit Portual Durrës. Vihet re që ka vend akoma për përmirësim në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit, po kështu dhe shfrytëzimin e të gjitha databazave të institucioneve të ndryshme, kjo në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë në Portin Durrës, për parandalimin dhe dokumentimin e akteve kriminale, trafiqeve të paligjshme, po kështu dhe çdo akt tjetër kriminal që mund të cenojë sigurinë kombëtare të vendit tonë.
Policia e Shtetit gjithmonë do të mbetet e hapur dhe bashkëpunuese në këtë drejtim, duke i mirorganizuar të gjitha burimet e saj njerëzore, po kështu vënien në shërbim për këtë qëllim të të gjitha kapaciteteve që ka, edhe të sistemeve të inteligjencës artificiale, nëse mund ta quaj kështu, gjë e cila është një fokus dhe një prioritet i qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Ju faleminderit shumë për mirëpritjen sot, ishte një takim shumë i nevojshëm, i planifikuar prej kohësh midis kolegëve dhe institucioneve dhe jam shumë i bindur që do të bëjmë shumë në të ardhmen për rritjen e elementeve të sigurisë në këtë institucion si porti më i rëndësishëm i vendit tonë. Ju faleminderit!
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli:
Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në veçanti, por edhe me Autoritetin Portual është i një niveli shumë të lartë. Sfida e radhës është që ky bashkëpunim të ngrihet një standard akoma më të lartë në funksion të mbrojtjes së territorit dhe luftës kundër evazionit dhe kontrabandës.
Bashkëpunimi i shkëlqyer ndërinstitucional që kemi me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është jetësuar shumë mirë këtu në Portin e Durrësit, me Task Forcën permanente, e cila vepron tashmë prej disa kohësh, e ngritur ndërmjet Drejtorisë së Policisë në qarkun Durrës, Policisë Kufitare, Prokurorisë së Rrethit Durrës dhe të organeve të administratës doganore të Portit Durrës.
Rezultatet kanë folur vetë dhe ju jeni dëshmitarë të punës voluminoze që është bërë nga kjo Task Forcë. Uroj dhe shpresoj që ky bashkëpunim të ngrihet në një nivel më të lartë me Policinë e Shtetit.