Nënshkruhet Marrëveshja Trepalëshe për dhënien e të drejtës së qasjes në sistemin elektronik “SIENA – Aplikim i Sigurt i Rrjetit të Shkëmbimit të Informacionit”, “EUROPOL”

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj dhe Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, me mbështetjen e IPA CSCWB 2019.

I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca dhe Oficeri I kontaktit pranë Europolit në Shqipëri Alen Perusiç.

DEKLARATA E PËRBASHKËT PËR SHTYP

Të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë dhe nevojës për shkëmbim informacioni të sigurt e të besueshëm ndërmjet strukturave të hetimit, strukturave të ushtrimit të ndjekjes penale dhe strukturave policore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bazuar në marrëveshjen e lidhur ndërmjet Europol dhe  Republikës  së Shqipërisë; sot, u nënshkrua Marrëveshja Trepalëshe me objekt: “Dhënia e të drejtës së qasjes në sistemin elektronik “SIENA – Aplikim i Sigurt i Rrjetit të Shkëmbimit të Informacionit”, “EUROPOL” midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Nënshkrimi i Marrëveshjes i mundëson Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit marrjen e qasjes së drejtpërdrejtë në rrjetin ”SIENA”, si një  linjë e sigurt  komunikimi dhe shkëmbimi informacioni me EUROPOL, në kuadër të thellimit të hetimeve për subjekte që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në kompetencë të SPAK.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit bëhen partnerë të rëndësishëm me Europol, duke mundësuar dhënien e aksesit të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave ”Siena”, shkëmbimin e informacionit dhe marrjen e tij në kohë reale, me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve penale nga SPAK, si dhe me qëllim finalizimin me operacione të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Marrëveshja do të mundësojë bashkëpunim dhe shkëmbim të sigurt të informacioneve, ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, jo vetëm me Europol-in, por edhe me Shtetet Anëtare të Unionit Evropian.