Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano priti në takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci, i cili shoqërohej nga përfaqësuesit e zyrës së Interforcës së Policisë italiane.
Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy policive.
Nano dhe Bucci vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, rolin e Ambasadës Italiane në forcimin e këtyre marrëdhënieve dhe mbështetjen e dhënë për Policinë shqiptare, punën e shkëlqyer të Guardia di Finanza-s në monitorimin ajror për parandalimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, si dhe rolin e zyrës së Interforcës në koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet dy policive, për tentativat për trafikim të lëndëve narkotike apo për goditjen e grupeve kriminale në operacionet e përbashkëta.
Gjatë takimit u konfirmuan gatishmëria dhe angazhimi i përbashkët për të forcuar akoma më tej këtë bashkëpunim, në interesin e përbashkët, atë të luftës kundër krimit të organizuar, terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.