Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale e më pas në media, për prezencën e një avioni të vogël që është parë duke fluturuar në zonën e Ishmit, ju sqarojmë se:
Nga verifikimet e menjëhershme të kryera nga ana e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me kullën e monitorimit ajror në Rinas dhe me Drejtorinë e Aviacionit Civil, rezultoi se gjatë ditë së sotme kanë kryer fluturime me leje të regjistruara, në orare të ndryshme, 5 avionë të vegjël “kaçatorr”, me kohëzgjatje fluturimi deri në tre orë. Njëri prej këtyre avionëve, që është filmuar nga banorët dhe është parë nga patrulla e Policisë, e cila ka njoftuar menjeherë, ka fluturuar prej orës 11:00 deri në orën 14:00, në zonën Durrës-Lezhë.
Këta avionë janë të kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë, për vaksiminin e dhelprës së kuqe, nëpërmjet ushqimit nga ajri.
Policia e Shtetit falënderon banorët dhe mediat për sensibilitetin dhe garanton qytetarët se është e vendosur për të reaguar me forcën e ligjit ndaj çdo paligjshmërie në cilëndo fushë që ajo mund të shfaqet dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të dyshimtë apo të shkeljes së ligjit, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm.