Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Qarkullonte me armë zjarri me vete, tentoi të largohej, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari, brenda pak minutave ndjekjeje nga Forca e Posaçme “Shqiponja”. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar për verifikim një mjet në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”. Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të personit, dhe brenda pak minutave ndjekjeje, kanë kapur dhe prangosur shtetasin Sh. M, 36 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të çantit të dorës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë dhe dy krehër me fishekë luftarak. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatit të Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasi Sh. M, 36 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 29-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit me Interpol Tirana, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit Gj. L, 29 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Bergamos, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Fier – U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për shtetasin A. M., 44 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 65 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 ën Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 rast në Dibër, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për armëmbajtje pa leje, dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, 2 për “Vetëgjyqësia”, 1 për “Mashtrimi” dhe 1 për “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në Korçë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 tjetër, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.