Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Qarku Korçë – Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohen penalisht 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim M. B., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, e ka dënuar këtë shtetas me 2 muaj burg për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Z. Sh., banues në fshatin Goskovë, Korçë, pasi nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas më datë 31.10.2021, në aksin rrugor Voskopojë-Korçë, pranë fshatit Voskop, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen Golf”, ka aksidentuar shtetasin M. P., 20 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe më pas drejtuesi u largua nga vendngjarja; A. A., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi pranë kryqëzimit të Ersekës, ky shtetas u kap duke drejtuar mjetin autobus tip “Benz”, në gjendje të dehur; A. R., 48 vjeç, banues në Bilisht, pasi në aksin rrugor Korçë-Dishnicë, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me disa pemë dekorative. Pas kontrollit të kryer rezultoi se A. R., drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, filluan procedimin penal për shtetasit D. A., 30 vjeç; Gj. P., 37 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e policisë ushtruan në mjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasin D. A. dhe pasagjerë dy shtetasit e tjerë, iu gjetën 1 dozë me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 doza me lëndë të dyshuar heroinë dhe 1 dozë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal për shtetasin A. M., 22 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në fshatin Beragozhd, Pogradec, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin tip “Mitsubishi” një sasi dru zjarri, pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Arratia”. Operacioni nga DVP Durrës, Interpol Tirana dhe FAST Albania, në bashkëpunim me ILECU Kosovë. Kapet dhe vihet në pranga një 20-vjeçar, i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore, i arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim nga Kosova, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, FAST Albania dhe ILECU Kosovë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Arratia”. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Z, 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë ndalimi i shtetasit F. E, 29 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një armë të ftohtë (thikë); Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë V. D, 33 vjeç, pasi në banesë, në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin në kërkim E. S, 38 vjeç(i kapur nga Forca e Posaçme “Shqiponja”) pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, i kryer në bashkëpunim. Më datë 01.11.2021, shtetasi S. H, kallëzon se në rrugën “Ostreni”, është kanosur nga një person i paidentifikuar. Punohet për identifikimin, kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier – U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për shtetasin D. M., 32 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Elbasan; 2 raste të tjera të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Lezhë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Organizmi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Durrës janë arrestuar në flagrancë dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, për shkatërrim prone, dhe 2 të tjerë, për shkatërrim prone me zjarr.
Në Tiranë dhe në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 për “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për tregtim të mallrave kontrabandë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.