Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjirokastër – Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar, arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Gjirokastër. Shtetasi A. H. u arrestua pasi, në lagjen “18 Shtatori” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin (bar-kafe) të marrë me qira nga ky shtetas, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular, ku dyshohet se përmbante faqe online të basteve sportive dhe nëpërmjet këtij aparati ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Kukës – U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, që të kalonin kufirin, kundrejt fitimit, arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Rrugore të Autostradës Kalimash-Morinë, kanë vijuar kontrollet në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së. Si rezultat i kontrolleve u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 19 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin e tij tip “Hyundai”, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur ose në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin J. M., 53 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kukës-Uzinë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.74 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Sarandë/Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, ku persona të paidentifikuar dhe të maskuar, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, vodhën një shumë parash në banesën e shtetasit T. K. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur nga autorët. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit T. K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe një sasi municioni luftarak. Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, me qëllim identifikimin me prova shkencore të dy autorëve të ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Vlorë, ku autori është ndaluar.
Në fushën e dhunës në familje është evidentuar 1 rast, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 rast në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, në Lezhë, dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, 2 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 1 në Vlorë, për falsifikim dokumentesh.
Në Tiranë dhe në Shkodër janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”.
Në Korçë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Falsifikimi i vulave” dhe 1 tjetër për “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.
Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.