Delegacioni i Policisë Federale Gjermane, i kryesuar nga znj. Anika Schulz, ka zhvilluar një vizitë pune në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes dy policive dhe kontributi i Oficeres Ndërlidhëse të Policisë Federale Gjermane Andrea Geschke, në këtë drejtim. Gjithashtu u diskutua mbi identifikimin e mundësive të reja për ta forcuar më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen në të ardhmen nga ana e Policisë Federale, për të realizuar akoma më mirë qëllimin e përbashkët, atë të goditjes së krimit të organizuar.
Delegacioni i Policisë Federale të Gjermanisë do të realizojë një sërë takimesh të tjera, me Drejtorin e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe përfaqësues të këtij Departamenti, Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe përfaqësues të këtij Departamenti, Drejtorin e Drejtorisë së FLO-së dhe vizitë pranë strukturave të Repartit Special RENEA, si edhe me përfaqësues të strukturave të luftës kundër trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale.