Qarku Korçë
Vihen në pranga 2 shtetas njëri prej tyre në vijim të operacionit “Perimetri” dhe procedohen penalisht 2 të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim Policinë Kufitare, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. K., 56 vjeç, banues në Thumanë, Krujë.
Ky shtetas u konstatua nga Forcat Speciale “Shqiponjat”, në lagjen nr. 2, Korçë, duke transportuar me mjetin tip furgon “Ford”, 8 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga verifikimet e mëtejshme të kryera, rezultoi se drejtuesi i mjetit shtetasi F. K., kishte kaluar kufirin për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme, si dhe drejtonte mjetin pa lejë drejtimi.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit francez J-B. Ch., 39 vjeç, banues në Grande Rue, Francë, pasi në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë procesit të kontrollit që shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, ushtruan në automjetin tip “Fiat” që ky shtetas drejtonte, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, filluan procedimin penal për shtetasin S. M., 50 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë, pasi në hyrje të qytetit të Ersekës, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin tip kamion “Benz”, 9 m sterë dru zjarri, pa leje.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal për shtetasin A. B., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e policisë kanë ushtruar në lokalin e tij në lagjen nr. 1, Korçë, iu gjet dhe sekuestrua një tablet i markës “Huawei”, të cilin dyshohet se e përdorte për aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.