Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kuçovë – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim policor. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve H. K., 66 vjeç, banues në Perondi, Kuçovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Berat e ka dënuar me dy muaj burg për veprën penale “Pengim për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”; K. Rr., 56 vjeç, banues në Dimal, Berat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Berat e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Kundërshtim i vendimit të Gjykatës”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Vijon operacioni i koduar “Kontrata”, i finalizuar 3 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale ne fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Vihet në pranga 39-vjeçari, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në​ burg” për veprën penale​ “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë. Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Vlorë/Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit dhe Pronës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. Xh. alias R. R. alias E. R., 40 vjeç, banues në fshatin Tragjas, Orikum, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi dyshohet se ka kanosur dhe shantazhuar një shtetase, me qëllim përfitimin e një shume parash prej saj. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë ndaluan shtetasin në kërkim J. K., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u arrestua shtetasi D. M., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka vjedhur orendi shtëpiake dhe një aparat celular në banesën e shtetasit I. G., në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi D. L., 25 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 12 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 më Elbasan dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 1 në Durrës, ku autori arrestuar në flagrancë, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar ën flagrancë dhe 1 në Durrës ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Lezhë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 7 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 3 në Elbasan dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 5 shtetas, 2 për veprën penale “Mashtrimi” dhe 3 për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe 1 për “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të rrezikshëm për shëndetin”.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.