Sarandë/Vijon puna për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ndërtojnë pa leje.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë konstatuar në lagjen nr.2, Ksamil, një objekt të ndërtuar pa leje.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 59 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente, në oborrin e banesës së tij, 1 objekt me kollona dhe soletë betoni.
– – – – –
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 34 vjeç, banues në Sarandë, ka kanosur shtetasin M. R, dhe i ka dhunuar banesën duke i dëmtuar portën hyrëse të banesës. Gjithashtu ky shtetas ka prishur qetësin publike dhe nuk u është bindur punojësve të policisë për të ndaluar veprimet e kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.
– – – – – –
Vlorë/Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Shpallen në kërkim dy poseduesit e lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra, se dy shtetas posedonin në banesë lëndë narkotike, kanë organizuar punën, duke ushtruar kontroll në banesat e dy shtetasve A. C, dhe H. C., në fshatin Hadëraj, Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e dy shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 11 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. C., 27 vjeç dhe H. C., 57 vjeç, dhe vijon puna intesive për kapjen e tyre.