Tiranë – Vihen në pranga 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit ndaj Jetës dhe Pronës bënë ndalimin e shtetasit A. T, 36 vjeç, sepse me anë të shtrëngimit, kanosjes dhe kërcënimeve të vazhdueshme në anë të telefonit, i ka kërkuar ti marrë automjetet, shtetasit L. L.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i vendimit penal, për shtetasin E. J, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve F. D, 24 vjeç dhe A. H, 21 vjeç, dhe shpalljen në kërkim të shtetasit E. H, 26 vjeç, pasi në rrugën “Endri Keko”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin dyqanin e shtetasit Y. H. Gjithashtu, shtetasi F. D, përveç bashkëpunimit në tentativën e vjedhjes ka siguruar edhe mjetet për realizimin e kësaj vjedhjeje.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi i shtetasit A. Gj, 43 vjeç, pasi ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë të Qarkullimit Rrugor.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ekzekutimin për shtetasin e mitur me iniciale A. Th, 17 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u bë arrestimi i shtetasit B. M, 39 vjeç, sepse ka përndjekur në mënyrë të përsëritur ish të dashurën e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. A, 62 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme.