Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv. Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.  Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore  rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi,  është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.  Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm. Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit.

Durrës – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Z. M., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin F. K., 53 vjeç, banues në Krujë, pasi më datë 03.10.2021, shtetasi I. C., 42 vjeç, banues në Thumanë, duke punuar në banesën e 53-vjeçarit, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit A. R., 47 vjeç, banues në Durrës dhe A. C., 42 vjeç, banues në Vlorë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetet e tyre, në gjendje të dehur; Xh. M., 21 vjeç, banues në Shijak, pasi duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin duke goditur murin rrethues të një banese. Si pasojë është lënduar vetë drejtuesi dhe pasagjerja në mjet, shtetasja M. V., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve; A. Gj., banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar mjetin, ka humbur kontrollin duke dale jashtë rruge. Si pasojë është lënduar vetë drejtuesi i mjetit dhe 2 këmbësorë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë,  për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit A. T., 32 vjeç, banues në Pogradec, pasi në banesë, ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases E. T., 33 vjeçe. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë përpunimit të dokumentacionit të qytetarëve, kanë konstatuar se shtetasi F. K., 21 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, në brendësi të pasaportës së tij kishte vendosur një kartëmonedhë 20 euro, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit në Greqi. Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në DVP Korçë, filluan procedimin penal ndaj 21-vjeçarit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal për veprën “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin A. L., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e policisë ushtruan në lagjen nr.4, Korçë, në lokalin në përdorim të tij, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 njësi kompjuterike që dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 54 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”,  1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në Tiranë dhe në Kukës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për falsifikim dokumentesh.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Pushtim toke” dhe 1 për “Vetëgjyqësia”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.