DVP Vlorë
Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vihen në pranga 5 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e DVP Vlorë dhe të Komisariateve në varësi, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan 5 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:
– Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë ndaluan shtetasin Sh. Z., 18 vjeç, banues në fshatin Selenicë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 31.07.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
– Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë ndaluan shtetasit Klement Domeri, 38 vjeç dhe Alment Bakullati, 30 vjeç, të dy banues në Konispol, Sarandë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, me vendimin e datës 25.09.2020 (lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 04.10.2021), i ka dënuar këta shtetas me nga 7 vite e 4 muaj burg secilin, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotikeve” kryer në bashkëpunim.
– Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë ndaluan shtetasin M. H., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë ndaluan shtetasin Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
– – – –
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. L., 37 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, një përforcues grushti (dorezë metalike), dy mjete prerëse (thika) dhe një shkop metalik.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë procedimi në gjendje të lirë i shtetasit K. B., 20 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte, që ky shtetas e posedonte pa leje.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.