Elbasan
U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës, dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 33-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 33 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Manastrecit”, Prrenjas, duke transportuar me automjetin tip “BMW”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 400 euro për person.
Në momentin kur shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit, por ka tentuar të largohet me shpejtësi. Për pasojë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është dëmtuar lehtë, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti dhe 1 aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.