Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 1 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kurbin – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen 4.255 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, shërbimet e Policisë Kurbin kanë organizuar punën dhe në Mamurras, Kurbin, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. C. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4.255 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. C., 34 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Berat – Finalizohet me sukses operacioni “Certifikata”. Pajiste subjektet tregtare, me certifikata dezinfektimi të falsifikuara, vihet në pranga 58-vjeçari. Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit monetar nga kjo veprimtari, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Berat, pas një hetimi tremujor, finalizoi operacionin “Certifikata”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasit E. D. 58 vjeç, banues në Berat. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. D., me detyrë administrator i një subjekti që kryen dezinfektime, ka pajisur subjekte të ndryshme tregtare, me certifikata dezinfektimi të falsifikuara, kundrejt përfitimeve monetare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Durrës – Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësive ligjore, ndaluan shtetasin Artur Cani, 44 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, më datë 23.06.2020, ka vjedhur në banesën e shtetasit I. K., pajisje të ndryshme pune dhe elektroshtëpiake, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në banesën e 44-vjeçarit. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, shtetasin F. H., 28 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe detyruar një shtetase të mitur 16 vjeçe, që të kryejë marrëdhënie seksuale, kundër dëshirës së saj. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin S. F., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Hyundai” është përplasur me një mjet tip “Ford”, duke shkaktuar dëme materiale. Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin K. C., 42 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. / Më datë 30.09.2021, në Himarë, është gjetur e vdekur pa shenja dhune, shtetasja L. Dh.,  75 vjeçe, dyshohet vdekje natyrale, si pasojë e arrestit kardiak. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, që ishin të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 5 raste të “Kanosja”,  2 në Korçë dhe 3 në Elbasan; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është shpallur në kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në Shkodër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Kukës janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 tjetër për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi në kredi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, 2 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore” dhe 1 për “Goditje për shkak të detyrës”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 raste aksidentesh, me 12 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.