Vlorë/Ekzekutohet vendimi i Gjykatës për 36-vjeçarin e shpallur në kërkim, për tentativën e vrasjes së shtetasit E. B, të ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë.
Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin M. P, 36 vjeç, banues në Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.
– – – – – –
Vihen në pranga dhe 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. V, 57 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi me datë 29.09.2021, në vëndin e quajtur “Bypass”, Himarë, është kapur në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij një emigrant të paligjshëm.
Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 28 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar automejtin në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.