Policia e Shtetit, masa për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e procesit mësimor, për sa i përket rendit dhe sigurisë, për disiplinimin e qarkullimit para shkollave dhe në afërsi të tyre, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës së nxënësve në rrugë, si dhe masa të tjera që konsistojnë në forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të Policisë, oficerëve të sigurisë në shkolla, stafeve drejtuese të shkollave, qeverisë së nxënësve dhe bordeve të prindërve.

Njëkohësisht, Patrullat e Përgjithshme dhe Ndihmësspecialistët e Policimit në Komunitet do vijojnë takimet e përbashkëta sensibilizuese për parandalimin e drogës, duhanit dhe alkoolit, si dhe për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Në bashkëpunim me stafet pedagogjike do vijojë monitorimi i zbatimit të masave anticovid.

Policia e Shtetit uron të gjithë nxënësit në mbarë vendin, për një vit shkollor sa më të suksesshëm dhe i fton ata, së bashku me prindërit, oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike dhe bordet e prindërve, për një bashkëpunim të suksesshëm këtë vit, në interes të së mirës së nxënësve.

Për çdo problem apo shqetësim mund te telefononi në 112 ose të shkruani në Komisariatin Dixhital, duke iu siguruar një reagim të shpejtë, profesional dhe të paanshëm.