Lushnjë
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë.
Kapet në kohë rekord autori i plagosjes së 65-vjeçarit.
Sekuestrohet municion luftarak dhe arma e zjarrit automatik me të cilën autori kreu krimin.
Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta hetimore e profesionale dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit, i cili është vëllai i 65-vjeçarit.
Kronologjia:
Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për tu kujdesur për bagëtit e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte.
Autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejtë vëllait të tij për motive pronësie.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” shtetasin Sami Veliu.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.