Rinas
Policia Kufitare Rinas, në kuadër të masave të shtuara për goditjen e paligjshmërisë, parandalon dhe godet një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Tentuan të kalonin kufirin me dokumenta të falsifikuara, vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen dokumente të ndryshme që përdoreshin nga këta shtetas për të kaluar kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas si rezultat i masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasit P. C, A. K, dhe E. H, të cilët do të udhëtonin me linjën ajrore, me destinacionin “Bolonja”.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 letërnjoftimi italiane, 3 patenta italiane si dhe 3 dokumenta shëndetsore italiane, të dyshuara të falsifikuara.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit P. C., 25 vjeç, A. K., 19 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.