Lezhë – Drift me makina në mes të qytetit, Policia procedon penalisht dhe administrativisht 2 të rinjtë

DVP Lezhë

Bënin drift me makina në mes të qytetit dhe më pas postonin video në rrjete sociale, falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Rrugore e Lezhës identifikon dhe procedon penalisht 2 drejtuesit e automjeteve.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 2 automjetet dhe për secilin prej drejtuesve kanë vendosur masën administrative 40.000 lekë.

Policia e Lezhës, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin 2 drejtues mjetesh që rrezikonin përdoruesit e tjerë të rrugës dhe prishnin rendin e qetësinë publike duke kryer manovra të rrezikshme me makinat e tyre në rrugë, në “Rrethrrotullimin e Katedrales”, Lezhë, falë veprimeve të shpejta dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve të shfaqur në video.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, drejtuesit e mjeteve, shtetasit K. F., 25 vjeç dhe E. B., 22 vjeç, banues në Ishull Lezhë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 2 automjetet dhe për secilin prej drejtuesve kanë vendosur masën administrative 40.000 lekë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe i fton që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.