DVP Durrës – Sqarim në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale

Sqarim/Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një drejtues mjeti, i cili ka kundërshtuar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit që ata i kanë ushtruar për xhamat e riveshur, ju informojmë se:

Nga kontrollet e kryera nga shërbimet e Policisë ka rezultuar se shtetasi A. K. drejtonte nën efektin e alkoolit, në masën 0.35 mg/l, mjetin tip “Audi”, me xhama të riveshur.

Gjatë kontrollit dhe veprimeve policore, ky shtetas i ka kundërshtuar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, shtetasi A. K., 25 vjeç, banues në lagjen nr.14, Durrës, është proceduar penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, këtij shtetasi i është pezulluar përfundimisht leja e drejtimit, pasi e ka në mënyrë të përsëritur këtë shkelje (drejtim mjeti nën efektin e alkoolit).

DVP Durrës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.