Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezullon menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova. Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga nje shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policise, sqarojmë opinionin publik se në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve. Me marrjen e njoftimit menjëherë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë kontakt me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qera i kishin marrë 3 aparatë celularë. Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar proceduren që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët. Gjatë komunimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar. Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient sa më të sigurt për të gjithë pushuesit, vizitorët e turistët. Policia e Shtetit fton qytetarët të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin pa pagesë 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankeat në MB, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.

Krujë – Finalizohen gjatë orëve të fundit dy operacione policore antikanabis të koduar “Ndëshkimi 3 “ dhe “Ndëshkimi 4”. Në pranga 11 shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Operacioni në vijim të dy operacioneve të tjera të koduara “Ndëshkimi 1 dhe 2”, ku si rezultat i këtyre operacioneve u ndaluan 16 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi 2 mujor me Metoda Speciale të Hetimit, Komisariati i Policisë Krujë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë si dhe në bashkëpunim me Sherbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, finalizuan me sukses Operacionin Policor të Koduar “Ndëshkimi 3”. Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit  A.K., 56 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë, F.K.,52 vjeç, banues në fshatin Brret, Krujë, G. K., 49 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë, J. K., 24 vjeç, banues në Krujë dhe K. K., 30 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, i shtetasit A. K., 45 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë. Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike Canabis Sativa ne zonën e pyllëzuar të fshatit Brret, Mal Brret dhe Picrrage të rrethit Krujë,e cila është asgjesuar në periudha të ndryshme. Po gjatë orëve të fundit është finalizuar një tjetër operacion i koduar “Ndëshkimi 4”, ku pas nje hetimi 3 mujor me Metoda Speciale Hetimi, ne funksion te procedimit penal te vitit 2019 u bë ekzekutimi i masave te sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer ne bashkëpunim, për shtetasit F. D., 23 vjeç, banues në Fshatin Borizane, Krujë, S. D. 20 vjeç, banues në Borizane, Krujë, K. T, 22 vjeç , banues në Lac te rrethit Kurbin. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. D. 27 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë. Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në zonen e pyllëzuar të fshatit Borizanë, Krujë, në periudha të ndryshme, të cilat janë asgjesuar nga Policia.

Gjithashtu po në vijim të operacionit “Ndëshkimi 4”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B.U., 50 vjeç, dhe S.U., 20 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre, u janë gjetur fidanë të dyshuar narkotikë canabis sattiva, si dhe një sasi lënde narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 14 aparatë celularë dhe 1 automjet. Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kesaj veprimtarie kriminale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Krujë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim .

Gjirokastër – Arrestohet në flagrancë një shtetas për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjithashtu ndalohen dy shtetas të tjerë si të dyshuar për bashkëpunim dhe për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Nga specialitët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi P.B., 20 vjeç, banues në Memaliaj, pasi në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë, u kap duke transportuar me automjetin e tij 6 shtetas nga vendet e treta kundrejt pagesës, si dhe u ndaluan si të dyshuar për bashkëpunim shtetasit S.B. 26 vjeç dhe A.B, 21 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve S.B. dhe A.B. u gjetën fidanë kanabisit të kultivuar në oborrin e banesës së tyre. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.

Shkodër – Qarkullonte me armë zjarri me vete, arrestohet në flagrancë nga Policia . Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 16 fishekë luftarakë. Shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, pas informacionit të marrë nga qytetarët se në fshatin Grudë janë dëgjuar të shtëna armësh, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e personit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Pas informacioneve të marra në rrugë operative shërbimet policisë kanë ushtruar kontroll fizik në një lokal ku dyshohej se ndodhej dhe personi që kishte qëlluar me armë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit P. Th. 22 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, Policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri Pistoletë me 16 fishekë luftarak. Nga veprimet e kryera rezultoi se ky shtetas kishte qëlluar në ajër me armë zjarri në fshatin Grudë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Himarë/ Infomacion paraprak – Rreth orës 03.50, në një lokal, në Jalës, në Himarë, pas një konflikti fizik midis dy shtetasve është dëmtuar aksidentalisht në këmbë, dyshohet me mjet prerës (xham-shishe) një shtetase, e cila ndodhet në Spitalin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po kryen hetimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lezhë – Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë referuan materialet procedurale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për vepren penale “Shkaterrim i pronës me zjarr” e kryer në  bashkëpunim, pasi më datë 28.07.2018, në Shëngjin, është djegur një lokal në pronësi të shtetasit P.P., 55 vjeç, banues në Lezhë, duke shkaktuar vetem dëme materiale.

Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor “Çiklisti”. Në pranga një 28 vjeçar nga Durrësi që kryente vjedhje biçikletash në Tiranë. Zbardhen 7 raste të vjedhjeve të biçikletave. Sekuestrohen 4 biçikleta, si dhe sendet që përdorte për të realizuar vjedhjet. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, nisur nga kallzimet e bëra nga disa qytetarë që u kishin vjedhur biçikletat, kanë organizuar punën për zbardhjen e këtyre rasteve dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i punës së bërë, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se kishte kryer këto vjedhje, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr 3 kanë finalizuar operacionin e koduar “Çiklisti”, ku kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit G. B., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje. Në momentin e ndalimit në rrugën “ Don Bosko”, Tiranë , Policia i gjeti këtij shtetasi 4 biçikleta të vjedhura, si dhe sendet që përdorte për kryerjen e vjedhjeve, konkretisht: thikë, kaçavidë, çelsa të vegjël biçikletash, pinca, kapele për maskim etj. Në vijim të hetimeve, bazuar në prova të grumbulluara dhe pamje filmike dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 vjedhjeve të tjera biçikletash, të ndodhura gjatë muajve mars-prill të këtij viti në Tiranë.

Po vijon puna në bashkëpunim me komisariatet e tjera të Policisë në varësi të DVP Tiranë, për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të biçikletave të ndodhura në Tiranë pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe vjedhje të tjera të biçikletave duke ua shitur personave të rastësishëm në shuma më të vogla nga vlera e tyre reale. Gjithashtu u procedua në gjëndje të lirë dhe shtetasi E.Gj.,41 vjeç banues në Tiranë për vepën penale “Përvetësim i sendeve të vjedhura”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit – Policia Kufitare dhe FNSH u vijnë në ndihmë pushuesve dhe turistëve, duke ndërhyrë në 3 raste të vështira. Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova të cilët rrezikonin të mbyteshin në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit. Të pestë personat u transportuan për në qëndrën spitalore, dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Po në të njëjtin vend iu dha ndihma edhe 9 shtetasve çekë, të cilët kishin ngelur të izoluar, dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën. Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist, i cili rrezikonte të mbytej si pasojë e dallgëve të detit. Policia e Shtetit, u bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha. Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motorë uji apo varka, deri në qetësimin e detit. Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det, dhe është angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta. Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor. Për çdo rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do jenë menjëherë në ndihmën tuaj.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 në Tiranë, 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës dhe 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në Shkodër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 15 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 5  në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Vlorë, 5 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 18 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiraën dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiraën, 1 në Durrës, 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.