Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 shtator 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Memaliaj – Goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestohen në flagrancë dy shtetas. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të  kontrollit në territorit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike,  kanë evidentuar dhe goditur dy raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh., 54 vjeç dhe P. Sh., 62 vjeç, banues në fshatin Toç, Memaliaj, pasi këta shtetas në bahçet e banesave të tyre kanë tentuar të kultivojë bimë narkotike, si dhe nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. Sh. u gjet një sasi lënde narkotike.  Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Kamzë – Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja për jetën në familje. Vihet në pranga një 39-vjeçar që posedonte pa leje armë zjarri dhe municion luftarak. Sekuestrohet një armë zjarri automatik, një armë gjahu dhe 96 fishekë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në Babrru, në një familje, një shtetas po ushtronte dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe falë veprimeve të shpejta parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, duke bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e shtetasit A. S. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri gjahu dhe 65 fishekë gjuetie. Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim dhe me Komisariatin e Policisë Gramsh, gjatë kontrollit në banesën tjetër të këtij shtetasi në fshatin Sojnik, Gramsh, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatik dhe 31 fishekë luftarak. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 39 vjeç, dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Mirditë/Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Lezhë/Vihen në pranga 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. Shërbimet e Policisë Mirditë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Prosek, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi N. K., 58 vjeç, banues në fshatin Prosek, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: P. V., 63 vjeç, banues në Krujë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, në masën 1.26 mg/l; S. P., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.

Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. K., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të ambientit përreth ku u konstatua ky shtetas, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. Ll., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin qarkullonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis dhe një armë e ftohtë(thikë). Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetases N. J., 42 vjeç, pasi i ka vjedhur një shumë parash shtetasit M. B. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi i shtetasit L. T., 29 vjeç, pasi në lokalin ku ishte i punësuar ky shtetas dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. U., 60 vjeç, pasi dyshohet se duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Rrugore; A. M., 35 vjeç, pasi ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e IKMT-së dhe i ka dëmtuar mjetin e punës. Në vijim të veprimeve janë proceduar në gjendje të lirë dhe 3 shtetas pasi kanë kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e IKMT-së. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 44 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. T., 19 vjeç dhe F. J., 16 vjeç, pasi gjatë një konflikti kanë goditur me sende të forta shtetasit E. B., 17 vjeç dhe F. N., 18 vjeç, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.•Në vendin e quajtur “Kodrat e Selitës” është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhunë shtetasi R. Ç., 39 vjeç, i larguar nga banesa me datë 14.09.2021. Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 26 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Kukës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 4 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone me zjarr”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Dhunimi i banesës”. Gjithashtu janë arrestuar në flagrance 2 shtetas, 1 për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 për “Goditje për shkak të detyrës”.

Janë proceduar penalisht për veprën penale “Pushtim toke”, 2 shtetas, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.