Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 shtator 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Pogradec – Vijon operacioni policor i koduar “Hudënishti”. Operacioni i zhvilluar pas një hetimi 4-mujor, si rezultat i bashkëpunimit midis Komisariatit të Policisë Pogradec, Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve. Shkon në 4 numri i të arrestuarve, 4 i atyre të shpallur në kërkim dhe 1 i proceduar penalisht. Sekuestrohen 38 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit. Në vijim të operacionit policor të koduar “Hudënishti”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, të finalizuar më datë 07.08.2021, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, 3 të tjerë u shpallën në kërkim dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej jashtë vendit, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Si rezultat i punës së mirorganizuar nga strukturat e lartpërmendura, u bë e mundur ndalimi i shtetasve O. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, K. D., 22 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, u shpall në kërkim shtetasi L. Sh., 20 vjeç banues në Hudënisht dhe u procedua penalisht për​ veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasja E. H., 31 vjeçe, banuese në Pogradec. Në bazë të informacioneve të siguruara gjatë periudhës hetimore, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht dhe Komisariatit të Policisë Pogradec, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që​ kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Gjirokastër – Në datën 14.09.2021, pas marrjes së informacionit nga Zyra Kombëtare e Interpol Tirana për automjetin e trafikuar tip “Citroen”, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije e kanë konstatuar automjetin.  Për kryerjen e procedurave të mëtejshme janë njoftuar specialistët e seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, të cilët bënë ndalimin e drejtuesit të automjetit, shtetasi M. S., 36 vjeç, lindur në Itali(banues në Spanjë), pasi dyshohet se ky shtetas do ta shiste këtë automjet, ndërkohë që nuk është pronari i automjetit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet në ngarkim të shtetasit M. S. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.  Gjithashtu, goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të  kontrollit në territorit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike,  kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasin Q. Ç., 53 vjeç, banues në Tepelenë, pasi në oborrin banesës ky shtetas ka tentuar të kultivojë bimë narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. F., 18 vjeç, banues në Elbasan. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. D., 17 vjeç dhe R. B., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan. Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, gjatë kontrollit nga  shërbimet e Policisë, në mjetin tip “Renault”, që drejtohet nga shtetasi E. D. ( i papajisur me leje drejtimi), gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, shtetasi M. D., 36 vjeç, banues në Elbasan (ekonomist në një firmë), pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në unazën e qytetit të Elbasanit, duke transportuar një sasi pijesh alkoolike me faturë tatimore të dyshuar të falsifikuar. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi M. G., pronari i subjektit ku po transportoheshin pijet alkoolike. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt “, shtetasin D. Xh., 61 vjeç, banues në fshatin Shtëpanj, Cërrik,  pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet furgon tip “Benz” po transportoheshin klandestinë drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. N., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shtetasi I. N. është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin furgon tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit Saimir Simoni, 34 vjeç, banues në Milot, Kurbin, i shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin e ka dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. J., 48 vjeç, banues në Podgoricë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin dytësor Shkodër-Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Skoda”, në gjendje të dehur.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier – Mallakastër/Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u kap dhe ndalua shtetasi N. A., 43 vjeç, banues në Drenovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”. Lushnjë/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike” shtetasin V. K., 45 vjeç, banues në Çukas, Lushnjë, pasi në banesën e tij është konstatuar duke vjedhur energji elektrike. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt” shtetasin L. Ç., 57 vjeç, banues në Ngurrëz, Lushnjë, pasi në fshatin Ngurrëz, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, i pa pajisur me leje drejtimi, është përplasur me motomjetin tip “Kinlon” me drejtues shtetasin K. Gj., 20 vjeç, i cili është dëmtuar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 2 në Korçë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2  raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Gjirokastër është ndaluar 1 shtetas dhe në Fier është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi në kredi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për “Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës”.

Në Shkodër janë proceduar penalisht 7 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.