Shkodër/Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje

Shkodër/Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, një sasi municioni luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontroll në disa lokale në vendin e quajtur “Fusha e druve”, në lagjen “10 Korriku”, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me sende të kundërligjshme me vete. Gjatë kontrollit të ushtruar në një nga lokalet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas që mbante zjarri me vete, i cili sapo ka parë punonjësit e Policisë, ka tentuar ta hedhë armën në ambientet e jashtme të lokalit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. T., 31 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale”.

Po nga specialistët e Hetimit të Krimit u arrestua në flagrancë shtetasi G. M., 41 vjeç, banues në lagjen Parrucë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë të ftohtë (dorezë metalike).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale.