Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 shtator 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Iu gjet lëndë narkotike në banesë, arrestohet në flagrancë poseduesi. Vihen në pranga edhe dy shtetas për veprën penale “Dhunë në familje”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. (H).M., 30 vjeç, banues në Kreshpan, Fier, pasi gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe sekuestrua një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit: B. F., 41 vjeç, banues në Fier, pasi në banesën e tyre, në prezencë të fëmijëve të mitur, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe L. L., 40 vjeç, banues në Patos, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij. Po nga këto struktura u procedua penalisht shtetasi F. C., 34 vjeç, banues në Levan, pasi për motive të dobëta ka kanosur me armë gjahu të cilën e kishte me leje, shtetasin S. M., 35 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bateristi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5. Vidhnin bateritë e automjeteve, ndalohen 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.  Zbardhen dhe dokumentohen 6 vjedhje të baterive të automjeteve, të ndodhura gjatë muajve janar, maj dhe shtator. Sekuestrohen 23 bateri makinash dhe automjetet që përdornin autorët për të realizuar vjedhjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bateristi”, në kuadër të të cilit bënë ndalimin e shtetasve: A. M., 26 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Rr., 21 vjeç. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 6 vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht: Më datë 08.01.2021 kanë vjedhur 4 bateritë e mjetit kamion në pronësi të shtetasit B. A;  Më datë 21.05.2021 kanë vjedhur bateritë e mjetit karrotrec në pronësi të shtetasit D. A; Më datë 01.09.2021 kanë vjedhur bateritë e mjetit kamion në pronësi të shtetasit A. O;  Më datë 01.09.2021 kanë vjedhur bateritë e mjetit kamion në pronësi të shtetasit Q. Ll;  Më datë 01.09.2021 kanë vjedhur bateritë e mjetit kamion në pronësi të shtetasit Sh. D; Më datë 02.09.2021 kanë vjedhur bateritë e mjetit kamion në pronësi të shtetasit M. B. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 23 bateri makinash, si dhe automjetet e përdorura nga autorët për realizimin e vjedhjeve, konkretisht automjeti tip “Ford” në posedim të shtetasit E. A. dhe automjeti tip “Smart” në posedim të shtetasit A. M. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kontrolle të vazhdueshme nga Forcat “Shqiponja” dhe “Shigjetat”, në të gjitha rrugët e kryeqytetit, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo shpërndajnë lëndë narkotike. Si rezultat i kontrolleve u evidentua dhe u godit një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kanabis dhe një mjet prerës, vihen në pranga poseduesit e tyre.  Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose shpërndajnë lëndë narkotike, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat” kanë vijuar me kontrollet e befasishme në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë kontrolleve në bulevardin “Gjergj Fishta”, Forcat “Shqiponja” kanë ndaluar për kontroll një mjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin B. S., 35 vjeç, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  Shtetasi B. S., 35 vjeç, në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë nga specialistët e Komisariatit Nr. 2, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.   Gjithashtu, si rezultat i këtyre kontrolleve, nga Forcat “Shigjetat”, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. Sh., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në çantën e krahut dhe në banesën e tij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shpërndarje, dhe një mjet prerës (thikë). Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Më datë 02.09.2021, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Dëmtime të tjera më dashje” dhe “Kanosja”, në ngarkim të shtetasit E. M., 42 vjeç, banues në  Krastë, Bulqizë, pasi për motive të dobëta ka kërcënuar e dhunuar fizikisht shtetasin V. D., 27 vjeç, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

DVP Vlorë – Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit suedez S. L., 33 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Mëngjesin e sotëm është dërguar për ndihmë mjekësore, në spitalin e Vlorës, një shtetase ende e paidentifikuar, rreth moshës 25 vjeçe, e cila dyshohet të jetë rrëzuar aksidentalisht në det duke zbritur nga një anije të ankoruar pranë portit Vlorë. Paraprakisht dyshohet se kjo shtetase ka qenë nën efektin e alkoolit. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me identifikimin e shtetases dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Kukës, 1 në Durrës, 1 në Shkodër dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku aurtori është shpallur në kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 9 raste, 4 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorë po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, 2 raste në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 autorë të ndaluar; 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i ndërtimit pa leje, Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone me zjarr”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë procedohen penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës.

Në Lezhë dhe në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Në Lezhë është proceduar penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Shkodër është ndaluar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për verën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke”.

Në Tiranë është proceduar 1 shtetas, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.