Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Goditet brenda javës, rasti i tretë i armëmbajtjes pa leje në qarkun e Durrësit. Lëvizte me armë zjarri me vete dhe gjatë ndjekjes nga Policia e hodhi atë, identifikohet dhe arrestohet 17-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve në territor, për kapjen e personave në kërkim ose të atyre që lëvizin me armë zjarri me vete, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, rreth orës 04:00, në lagjen nr.6, Durrës, kanë konstatuar një shtetas, i cili pas thirrjes së punonjësve të Policisë nuk i është bindur urdhrit për ndalim. Pasi është ndjekur nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka hedhur në oborrin e shtetasit G. K., çantën e dorës, brenda së cilës u gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi për veprën penale “Armëmbajtja pa leje “, i shtetasit I. R., 17 vjeç, banues në Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë/Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Tentuan të vidhnin në një banesë, arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja” shtetasit S. K., 18 vjeç dhe A. Sh., 17 vjeç, të dy banues në fshatin Çukë, Sarandë, pasi u kapën në kushtet e flagrancës duke vjedhur në banesën e shtetasit K. B, në fshatin Çukë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë dhe të ngjarjes së ndodhur më datë 05.07.2021, ku është tentuar të vidhet banesa e shtetasit I. M, në fshatin Çukë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 19 vjeç, banues në Delvinë, pasi është konstatuar duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për gjetjen e shtetases së mitur F. S., 15 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi ka bërë kallëzim e ëma e saj se vajza është larguar nga banesa më datë 30.08.2021. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tropojë – Finalizohet një tjetër operacion policor antikanabis. Operacioni i koduar “Vilishti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë. Ndalohet një 31-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Procedohet penalisht inspektori për Pyjet dhe Mjedisin, për shpërdorim detyre dhe moskallëzimi krimi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivimin të kanabisit, pas një hetimi dymujor, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Vilishti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Gëzim Prengzaj, 30 vjeç, banues në fshatin Lekurtaj. Ky shtetas dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, sipër bjeshkës së fshatit Vilisht. Në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi I. Sh., me detyrë inspektor për Pyjet dhe Mjedisin në bashkinë Tropojë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Shpërndanin lëndë narkotike kanabis në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 450 gramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shpërndarje. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”. Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar puna dhe në rrugën “Frataj” është kapur në kushtet e flagrancës shtetasi D. S., duke shitur lëndë narkotike kanabis në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim S. Gj., u kap në kushtet e flagrancës shtetasi E. H, duke tentuar të heqë nga banesa, sendet e kundërligjshme që gjendeshin aty, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi E. H., në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë një shtetas, shpallen në kërkim dy të tjerë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrollit në territor kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Cakran. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin B. G., 69 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasit E. G., 32 vjeç dhe F. G., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Cakran, pasi në bashkëpunim me njeri tjetrin, në oborrin e banesës së shtetasit B. G., kishin kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 autor të ndaluar dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 më Durrës dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë dhe 1 Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Mashtrimi”, 4 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, në Kukës.
Janë evidentuar 6 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, 1 në Dibër, 1 në Gjirokastër, 2 në Gjirokastër dhe 2 në Vlorë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”
Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për korrupsion aktiv.
Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.