Dibër
Goditet një tjetër rast i prerjes së paligjshme të pyjeve. U kap duke ngarkuar në automjetin e tij lëndë drusore pa dokumentacion përkatës, procedohet penalisht 29-vjeçari.
Procedohen penalisht në gjendje të lirë dy specialistë të Shërbimit Pyjor për “Shpërdorim detyre”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë ushtruar kontroll në fshatin Lunar, Selishtë, dhe si rezultat kanë konstatuar shtetasin I. L., duke ngarkuar në automjetin e tij një sasi lëndë drusore pa dokumentacion përkatës, e të prera në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. L., 29 vjeç, banues në Selishtë.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar ka filluar procedimi penal si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, për shtetasit :
H. SH., 54 vjeç; Sh. Ll., 30 vjeç, (Specialistë të Shërbimit Pyjor), pasi nuk kanë ushtruar kontrolle mbi detyrimet ligjore për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve në sektorin përkatës të njësisë Administrative Selishtë, duke lejuar që individë të kryejnë dëmtime të pyjeve në këtë zonë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.