Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë/Zbardhet tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit, e ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë. Shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes. Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E. B. Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Kurbin – Me kallashnikov, pistoletë dhe municion luftarak në automjet, 24-vjeçari i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kapet e vihet në pranga nga Policia e Kurbinit. Finalizohet operacioni policor “Zhejë”. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë. Sekuestrohen armë zjarri automatik, pistoletë, municion luftarak dhe një automjet. Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas në kërkim, i cili qarkullonte dhe me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Zhejë”. Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi Ermando Cima, 24 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja më shumë se njëherë, duke sjellë pasoja të rënda”. Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Luksemburgut i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja, më shumë së një herë, duke sjellë pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit në automjet tip “Benz” më të cilin po qarkullonte ky shtetas u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të DVP Lezhë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas mund të kryente vepër penale në fushën e krimeve të vjedhjes me armë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Vjedhja” dhe “Vjedhja”, më shumë së njëherë, duke sjellë pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim.
Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Farmacia”. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Korçë, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes. Dokumentohen dy vjedhjet e ndodhura në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, vihet në pranga një infermier. Sekuestrohet një sasi medikamentesh të ndryshme, me vlerë të konsiderueshme. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë). Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se, ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.
Durrës – Kontrolle të shtuara nga Policia e Durrësit, në zonat bregdetare, për kapjen e personave që lëviznin me armë apo me sende të kundërligjshme me vete. Si rezultat i kontrolleve kapet dhe arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar që lëvizte me armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe 2 palë pranga si ato të Policisë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja” në DVP Durrës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë në zona bregdetare, gjatë kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri apo me sende të kundërligjshme me vete, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, shtetasin Kejvin Gjegja. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, në çantën e tij të dorës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 2 palë pranga hekuri si ato të Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, shtetasin Kejvin Gjegja, 20 vjeç, banues në lagjen nr.13, Plazh, Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. C., 64 vjeç, pasi në lokalin e tij, ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tavolinë pokeri, 6 pajisje kompjuterike, një shumë parash dhe dy aparate celular. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë ndalimi i shtetasit P. V., 27 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, pasi më datë 23.08.2021, në Bulevardin “Zhan D’ark”, ka tentuar ti vjedhë me dhunë telefonin dhe një shumë lekësh,brenda mjetit të shtetases B. Xh. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. P., 25 vjeç, pasi duke qënë me masë sigurie “Arrest shtëpie”, është larguar nga vendi i qëndrimit, dhe është konstatuar jashtë banese; U. Ç., 41 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë personale “Arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata, dhe është konstatuar jashtë banese. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Përndjekja”, i shtetasit P. B., 57 vjeç, pasi ka përndjekur dhe shantazhuar për të kryer marrëdhënie seksuale një shtetase 20 vjeçe. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. Z., 38 vjeç dhe A. B., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 30.08.2021, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasit G. V., sepse në muajin mars të vitit 2020, me anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit T. Sh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 25 janë arrestuar në flagrancë dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone”, në Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone me zjarr”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore” dhe 1 për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për falsifikimi i dokumenteve, 1 në Tiranë dhe 1 ën Elbasan.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Tiranë dhe 2 në Lezhë.
Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 tjetër, për korrupsion aktiv.
Në Gjirokastër janë proceduar penalisht 5 shtetas, për “Pushtim toke”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.