Policia e Shtetit intensifikon kontrollet në të gjitha akset rrugore

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore nacionale, në zonat bregdetare, në zonat urbane e akset që lidhin njësitë administrative, duke përdorur radarë, dronë e patrulla të lëvizshme, të pajisura me automjete, të pauniformuara, kamera e aparatë fotografike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat i kontrolleve me radar 📹, në rrugën interurbane Tiranë–Elbasan, Përrenjës, Peqin, Kavajë, Bypass Fier, Vlorë e Gjirokastër, Rruga e Kombit, Lezhë e Durrës, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë pezulluar 39 leje drejtimi për shpejtësi që varionin nga 98 km/h në qendrat e banuara, deri në 163 km/h në rrugët interurbane.

Si dhe janë vendosur 261 masa administrative nga 6.000 deri në 12.000 lekë të rinj, për shpejtësi që varionin deri në 127 km/h, në rrugët interurbane ku shpejtësia e lejuar është 90 km/h.

Janë vendosur 312 masa për parakalime të gabuara dhe 221 masa për përdorim të aparatit celuar gjatë drejtimit të mjetit, 233 për mos përdorim të rripit të sigurimit, 87 për mos përdorim të kaskës mbrojtëse.

Janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 9 drejtues mjetesh nga të cilët, 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 32 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.49 mg/l.

Si dhe janë vendosur 78 masa administrative nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, që varionte nga 0.09 mg/l deri në 0.28 mg/l

Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se akoma ka shumë fluks në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim nga këto zona, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, por të qëndrojnë në rradhë kur ka qarkullim të ngadalshëm për shkak të fluksit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, e nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

#MosUbejStatistikë📉
#RregullKujdesDurimDestinacion
#NeJemiAtyPërSigurinëTuaj🚔🛣