DVP Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ullishtja”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër dhe Komisariati i Policisë Vau i Dejës.
Gjatë operacionit arrestohen në flagrancë 4 shtetas të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.
Sekuestrohen 35 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.
Në vijim të kontrolleve të njëpasnjëshme të territorit në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ulishtja”, në kuadër të të cilit u goditën tre raste të kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike e konkretisht:
-Në kuadër të Operaciont nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M, 51 vjeç, banues në Fshatin Mosel, Reç, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe, pasi gjatë kontrollit në afërsi të banesës së tij janë gjetur të kultivuara bimë narkotike si dhe në afërsi të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar edhe 30 kilogramë cannabis sativa dhe një sasi fishekësh luftarak.
-Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z.D., 60 vjeç, banues në fshatin Naraç, Bashkia Vau i Dejës, pasi në ullishten e tij u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike cannabis sativa.
-Po në kuadër të operacionit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Z. N., 28 vjeç dhe Gj. N., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, në fshatin Gimaj, Njësia Administrative Shalë, Policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu po në fshatin “Gimaj” Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, në vendin e quajtur pylli poshtë “Majës së Boshit”, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike, ku dyshohet se këta shtetas janë autorë të kultivimit të tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.