Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 gusht 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Policia e Durrësit godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Furnitori”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës. Sekuestrohen 4 mina me telekomandë, të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 10.000 euro. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Furnitori”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. E., 50 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë. Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin A. E., në Shkafanë, Ishëm, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 10.000 euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Posedonte armë zjarri në banesë, vihet në pranga 36-vjeçari, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë babai i tij. Sekuestrohet një armë zjarri pushkë, një armë gjahu  dhe një gjerdan me fishek. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër në vijim të punës për  goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje si rezultat i kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale , si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, shërbimet e policisë falë punës së mirërganizuar kanë ushtruar kontroll në banesën e 36-vjeçarit, në fshatin Çidhën, dhe si rezultat gjetën të fshehura një armë zjarri pushkë, një armë gjahu dhe një gjerdan me fishek të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: E. T., 36 vjeç, banues në fshatin Çidhën, njësia Administrative Arras, Dibër, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi M. T., 67 vjeç (babai i të arrestuarit). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër,  për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i  “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë, ku autori është shpallur në kërkim; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në Tiranë, ku autorët janë shpallur në kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 1 autor të shpallur në kërkim dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen ne gjendje të lirë, si dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndërtimi pa leje”, 1 në Tiranë dhe 1 ën Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 3 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.

Në Lezhë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Shpërdormi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke” dhe 1 tjetër për “Falsifikimi i letërnjoftimeve”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, në Lezhë.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Në Korçë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshëm e pyjeve”.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë një shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur”.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Ngacmim seksual”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.