Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kurbin – Policia e Kurbinit identifikon dhe shpall në kërkim 21-vjeçarin që qëlloi me kallashnikov në ajër nga automjeti në ecje, gjatë një ceremonie dasme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, dhe më pas e postoi videon në rrjetet sociale. Gjithashtu, procedohet penalisht dhe kushëriri i tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjendet dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale dhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.  Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit K. T., 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin. Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi K. T. ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale. Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë,  Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar,  për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. T., kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. V., 53 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. T., 35 vjeç, (punonjës policie) si dhe u bë shpallja në kërkim e vëllait të tij shtetasit A. T., 29 vjeç, pasi me datë 21.08.2021, janë konfliktuar për motive të dobëta me rojen security të një qendre tregtare dhe dyshohet se shtetasi D. T., ka qëlluar me armë zjarri në tokë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. G., 44 vjeç, A. L., 50 vjeç, A. S., 49 vjeç dhe A. N., 29 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; Xh. K., 24 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Më datë 22.08.2021, shtetasi D. H., 34 vjeç, kallëzon se ka konstatuar se i kanë vjedhur një shumë parash në biznesin e tij. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Arrestohet një shtetas pasi u kap në flagrancë me një sasi lëndë narkotike, si edhe arrestohet një tjetër pasi drejtonte motomjetin në gjendje të dehur. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. Ç., banues në Verbas, Fier, pasi gjatë kontrollit personal dhe gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe sekuestrua një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte motomjetin tip “Linfan” në gjendje të dehur. Në fshatin Hambar, në një kanal vaditës dyshohet se në kushte depresioni është vetëhedhur dhe është mbytur shtetasja R. H., 66 vjeçe, banuese në fshatin Tojkan, Fier. Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk konstatohen shenja dhune dhe vdekja ka ardhur nga mbytja në ujë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vihen në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 20 vjeç, banues në Fushë Kosovë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, dhe A. B., 22 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e një lokali, i kanë vjedhur shtetasit A. Ç., një sasi vlere monetare dhe dokumenta personale. Gjithashtu nga hetimet e kryera rezultoi se këta shtetas, më datë 20.08.2021, në lagjen nr.13, Durrës, kanë vjedhur në marketin e shtetasit P. B. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, ndaluan për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Përndjekja”, shtetasin A. Gj., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 10.08.2021, për motive të dobëta, ka goditur ne sende të forta shtetasin P. Zh., 64 vjeç si dhe ka përndjekur shtetasen N. Zh., 57 vjeçe. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit: Y. Xh., 41 vjeç, banues në Krujë, pasi në fshatin “Mazhe”, Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Pezho”, në gjendje të dehur, ka goditur mjetin tip “Volksëagen”, duke shkaktuar dëme materiale; G. B., 26 vjeç, banues në Kavajë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Hodhi kapsolla lakrimogjene gjatë Festës së Birrës, vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër rendit, sigurisë publike dhe pronës. Procedohet penalisht  edhe 1 shtetas tjetër, që kundërshtoi punonjësit e policisë gjatë shoqërimit të autorit të dyshuar. Në vendngjarje u sekuestrua një kapsollë e paplasur.  Arrestohet edhe një 26-vjeçar për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. L., 21 vjeç, banues në Tiranë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kundër pronës) si edhe filluan procedimin penal për shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në fshatin Xeng, Lushnjë.  Më datë 22.08.2021, gjatë Festës së Birrës, 21-vjeçari R. L. ka hedhur kapsolla lakrimogjene, me qëllim cenimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet, por menjëherë u kap nga shërbimet e policisë duke bërë që ky veprim të mos cenonte mbarëvajtjen e aktivitetit i cili u mbyll sipas programit. Gjithashtu nuk influencoi as në pjesëmarrjen e publikut. Gjatë shoqërimit të shtetasit R. L., për në ambientet e Komisariatit, shtetasi tjetër F. K., ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës. Në vendngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur. Nga ana e Policisë po punohet për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Gjithashtu po nga këto struktura, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Ç., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi në Terminalin e Autobusëve, gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.  Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. U kap duke transportuar 56 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Q., 49 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Shërbimet e policisë kanë kapur në lagjen nr. 3, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin kamion të markës “Benz”, 56 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

DVP Vlorë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. N., 26 vjeç banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një përforcues grushti. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Ll. M., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 214 shtetas, konkretisht: 14 janë ndaluar, 80 janë arrestuar në flagrancë dhe 120 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste, me 17 autorë të arrestuar në flagrancë, 3 autorë të ndaluar dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 21 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i  “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Vrasja”mbetur në tentativë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 33 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 27 raste: 7 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 21 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

 Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për kundërshtim të punonjësit të policisë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe 1 tjetër, për “Mashtrimi”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe 1 tjetër për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 15 aksidente, me 3 viktima dhe 21 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.