Policia e Shtetit ka rritur prezencën në rrugë dhe ka intensifikuar kontrollet me radarë e dragera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore

Policia e Shtetit ka rritur prezencën në rrugë dhe ka intensifikuar kontrollet me radarë e dragera me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Kontrolle me radar 📹 në rrugën interurbane Tiranë -Elbasan.
Drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë.
Nga Policia Rrugore e Tiranës, prej orës 15:00 deri në orën 18:00, u konstatuan 10 drejtues mjetesh me shpejtësi nga 140 km/h deri në 160 km/h, të cilëve iu pezullua leja e drejtimit nga 1 deri në 3 muaj dhe u ndëshkuan me masë administrative nga 10.000 deri në 25.000 lekë të rinj.
Njëri prej drejtuesve të konstatuar me shpejtësi 147 km/h nga Policia Rrugore e Tiranës, dhe iu pezullua leja e drejtimit, u kap përsëri pas disa minutash në rrugën Tuneli i Krrabës-Elbasan në Dopaj nga radari i Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore po me shpejtësi 148 km/h, të cilit iu pezullua edhe 3 muaj të tjerë leja e drejtimit dhe masë administrative 20.000 lekë të rinj.
Po nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore prej orës 15:00 deri në orën 18:30, nga monitorimi me radar në Dopaj janë pezulluar 9 leje drejtimi për shpejtësi deri në 170 km/h.
Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se ka shumë fluks në kthim nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, por të qëndrojnë në radhë kur ka qarkullim të ngadalshëm për shkak të fluksit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.