Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që e posedonin dhe e shpërndanin lëndën narkotike, njëri prej tyre i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen lënda narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje dhe 2 automjete.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Erjon Prifti, 31 vjeç dhe Geart Çoçka, 33 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”), të dy banues në lagjen nr.4, Sarandë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit në një lokal në Sarandë, në pronësi të shtetasit Erjon Prifti dhe më pas gjatë kontrollit të ushtruar në 2 automjetet në përdorim nga shtetasi Geart Çoçka, që ishin të parkuara pranë lokalit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lendë narkotike e dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.