Qarku Korçë
Goditen dy raste të aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Nga Policia Kufitare e Kapshticës, goditet një rast i tentativës së trafikimit të narkotikëve nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë, vihet në pranga një 48-vjeçar.
Nga Komisariati i Policisë Pogradec, goditet një tjetër rast në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza, vihet në pranga një 23-vjeçar.
Sekuestrohet 5, 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 5 doza kokainë,20 doza kanabis dhe 1 dorezë metalike.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, gjatë patrullimit të tyre në kufi të gjelbër, në afërsi të vendit të quajtur “Lugina e vogël” në fshatin Kapshticë, Devoll, kanë konstatuar në largësi dy shtetas, të cilëve ju kanë bërë me shenjë të ndalonin. Ata nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë, por u larguan me vrap në zonën e pyllëzuar, ku hodhën dy pako me peshë 5, 4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve të mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP-Korçë, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasit F. Q., 48 vjeç, banues në Korçë, pasi nga hetimet e kryera rezulton se 48-vjeçari, ka transportuar me mjetin tip “Benz”, nga Tirana në drejtim të “Luginës së vogël” këta dy shtetas së bashku me lëndën narkotike, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
—‐———-
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. P., 23 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 5 doza me lëndë të dyshuar kokainë, 20 doza me lëndë të dyshuar kanabis dhe një dorezë metalike, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.