Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Policia e Kurbinit parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Kanosi me armë zjarri kushëririn, për motive pronësie, reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë ka bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të 64-vjeçarit. Sekuestrohet arma e zjarrit automatik, me krehër dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, rreth orës 06:15 të mëngjesit të sotëm, kanë marrë njoftim për një konflikt mes kushërinjve, të cilët posedonin dhe armë zjarri, në fshatin Malbardhë, Kurbin. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar se shtetasi H. L. po kanoste me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin I. L. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, shërbimet e Policisë kanë arritur ta neutralizojnë dhe të vënë në pranga shtetasin H. L., duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi H. L., 64 vjeç, banues në Malbardhë, Kurbin. Më parë, janë arrestuar dhe dy djemtë e shtetasit H. L., pasi kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur në pistoletë imituese punonjësit e Policisë. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit automatik, 2 krehra dhe municion luftarak. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat – Vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Berat. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për zjarrvënie në Skrapar. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan shtetasin M. Ç., 35 vjeç, banues në Vëndreshë, Skrapar, pasi dyshohet si autor i zjarrvënies në fshatin Vëndreshë, ku si pasojë është djegur sipërfaqe e konsiderueshme toke me pyje dhe bimësi të ndryshme. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. H., 44 vjeç, banues në Bathore, Tiranë, pasi dyshohet si autor i zjarrvënies në Malin e Tomorrit, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe kullota. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan – Dogji me zjarr një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe vresht në fshatin Shtërmen, vihet në pranga autori i dyshuar. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., banues në fshatin Shtërmen, Cërrik, pasi dyshohet se në fshatin Shtërmen, Cërrik, ka djegur disa barishte në pronën e tij dhe pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit është djegur një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe vresht, në pronësi të shtetasit V. R. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Shpallen në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit O. Sh., 17 vjeç, banues në Elbasan. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, në afërsi të fshatit Kalivaç, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip “Renault”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve O. Sh., kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se të implikuar në këtë ngjarje janë edhe shtetasit A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan (në rolin e organizatorit) dhe Ç. B., 26 vjeç, banues në Durrës (bashkëpunëtor), të cilët u shpallën në kërkim dhe nga ana e Policisë po punohet për kapjen e tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Sekuestrohen një armë zjarri me krehër me fishekë dhe doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M., 47 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë, pasi mbante armë zjarri pa leje në banesë. Nga shërbimet e Policisë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit automatik, me krehër me fishekë. Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit D. D., 35 vjeç, banues në fshatin Sukagji, Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi dyshohet si autor i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, Lezhë. Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Lezhë u procedua penalisht shtetasi K. H., 20 vjeç, banues në Lezhë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Shëngjin, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë – Dogji me zjarr një sipërfaqe pyjore në afërsi të fshatit Leshnjë, shpallet në kërkim autori i dyshuar. Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër për veprën “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë shpallën në kërkim shtetasin R. R., banues në fshatin Leshnjë, Korçë, pasi dyshohet se në këtë fshat, në vendin e quajtur “Manastirsht”, ky shtetas ka djegur 1 hektar sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushk. Gjithashtu, në afërsi të fshatrave Gjonomadh dhe Krushovë, Korçë, konkretisht në vendet e quajtura “Korija e fshatit” në Gjonomadh dhe “Mali i Bodesë” në Krushovë, ka rënë zjarr dhe për pasojë janë djegur sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre zjarrvënieve. Gjithashtu në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve në fushën e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal për shtetasin A. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec, pasi në fshatin Gështenjas, Pogradec, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 5 m³ dru të llojit ah, pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprat penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Tropojë – Dogji me zjarr një sipërfaqe pylli në afërsi të fshatit Dragobi, shpallet në kërkim autori i dyshuar. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë shpallën në kërkim shtetasin Sh. D., banues në fshatin Dragobi, pasi dyshohet se ka vënë zjarr në afërsi të këtij fshati, ku për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me ah dhe shkurre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë ndalimin e shtetasit B. M., 57 vjeç, pasi në dhjetor 2019, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Ky shtetas dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e datës 13.12.2019, në pikën kufitare Kapshticë, Korçë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis. Po nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M(G).M(C)., pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kokainë dhe një kartëmonedhë e dyshuar e falsifikuar; L. B., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit në vendin ku u konstatua dhe të banesës së tij, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin e shtetasit A. H., 32 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Mashtrimi”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. Gj., 68 vjeç, pasi është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Gjithashtu, ky shtetas gjatë ndalimit në kryqëzimin e rrugës “Sadik Petrela”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për bërjen e testit të alkoolit; M. L., 26 vjeç,pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Rreth orës 02:30, ka tentuar të vetëvaret shtetasi D. D.,54 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor. Më datë 10.08.2021, në Kodër-Mëzes, Kashar, në katin e dytë të banesës aksidentalisht është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë depozita e ujit dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasja N. H., 54 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 26 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Dibër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje është evidentuar 1 rast, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 5 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, 2 raste në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Kukës dhe 1 në Korçë, ku autorët janë shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Shkodër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër, për “Vënia në dispozicion e lokaleve për lotari të palejuara”. Gjithashtu janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Pushtim toke” dhe 1 për “Fshehja e të ardhurave”.
Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Elbasan janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 shtetas tjetër, për “Prishja e qetësisë publike”.
Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për “Shpërdorim detyre”, 5 në Vlorë, 2 në Elbasan, 2 në Tiranë dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në Durrës dhe është proceduar penalisht 1 tjetër në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në Dibër, dhe është proceduar penalisht 1 tjetër në Fier, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për korrupsion aktiv, 1 për “Pushtim toke” dhe 1 tjetër për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.